Klubi i mendimit ekonomik

Administrimi i pasurive kriminale në Shqipëri dhe nevoja për reformë rrënjësore

Opinion nga Hekuran Vladi, ekspert i luftës kundër pastrimit të parave, ish Kryeadministrator i AAPSK

Krimi i organizuar është një fenomen i zhvilluar i shoqërive demokratike në mbarë botën.
Roli, që ka në shtetet përkatëse, diktohet përkatësisht nga forca e zbatimit të ligjit.

Në Shqipëri, karakteristikat e organizimit të krimit janë të njëjta, apo të ngjashme me ato të vendeve ish-komuniste në Europën Juglindore.

Megjithatë, mund të thuhet pa mëdyshje, që efektet e globalizmit janë shtrirë me shpejtësi edhe në botën e krimit, kështu që përditë e më shumë do të flitet për krim të organizuar ndërkombëtar, sesa vendor.

Ka disa përkufizime për krimin e organizuar, të dhëna nga organizata të ndryshme botërore, kryesisht nga OKB, të cilat janë marrë nga legjislacionet penale të shteteve.

Shqipëria ka gjithashtu legjislacion të pasur në trajtimin e luftës kundër krimit të organizuar. Ky legjislacion është i orientuar kryesisht në trajtimin penal të tyre.

Që në vitet 80, vende me krim të organizuar të lartë filluan të kërkojnë rrugë të tjera në luftën kundër tij, përveç dënimeve penale.

Vende, si Italia, apo SHBA nisën “luftën ekonomike” kundër krimit dhe kjo praktikë ka ardhur duke u shtrirë e perfeksionuar në shumicën dërmuese të vendeve të zhvilluara. Është e pranuar botërisht që zhveshja e bandave kriminale nga pasuritë e tyre është shumë më e efektshme, sesa thjesht burgosja e elementëve të tyre.

Në Shqipëri, që në vitin 2004 është miratuar ligji i ashtuquajtur “antimafia”, i marrë pothuajse copy-paste nga ligji Italian, një ligj që kërkon konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar, si masë parandaluese ndaj këtij krimi.

Ky ligj, përveç të tjerash kërkoi edhe ngritjen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Aktet nënligjore nuk ishin aspak në ndihmë të funksionimit të kësaj Agjencie dhe vetëm në 2007, me ndryshimin e tyre, AAPSK mundi të ngrihej e të funksiononte praktikisht dhe të merrte në administrim pasuritë mbi të cilat ishte vendosur sekuestro, apo konfiskim që prej 2004-ës nga Gjykata për Krime të Rënda.

Administrimi i pasurive – produkt i krimit është një moment tepër i rëndësishëm i procesit të luftës kundër krimit.

Periudha nga sekuestrimi deri në konfiskimin e tyre, që normalisht zgjat 6 muaj deri në 1 vit e në raste të shumta edhe shumë më gjatë, është një kohë shumë e kushtueshme në vlerësimin ekonomik.

Më tej, procedimi me pasuritë e konfiskuara është një histori aq delikate, sa edhe e rëndësishme për procesin.

Fundja, përfitimi maksimal i buxhetit të shtetit nga tjetërsimi i pasurive kriminale, është një përfitim i shoqërisë, i atij grupi gjigand, që punon brenda ligjit e që është pjesa dërmuese e shoqërisë.

Pra, ruajtja e vlerës së pasurive dhe përfitimi maksimal nga ri-futja e tyre në treg, duhet të jetë qëllimi kryesor i agjencive të zbatimit të ligjit e në vetvete ky është kulmimi me sukses i zbatimit të ligjit.

Ky shkrim ka për qëllim evidentimin e problematikës kryesore në fushën e administrimit të pasurive – produkt i krimit dhe një propozim për mënyrën e zgjidhjes së kësaj problematike.

Theksoj, që në krye të herës, që unifikimi i regjimit të administrimit të pasurive – produkt i krimit është një nga reformat kryesore, që mund të merren në fushën e zbatimit të ligjit në Shqipëri.

II.

Pasuritë – produkt i krimit dhe problematika e administrimit të tyre

II.1. Sekuestrimi dhe konfiskimi

Janë dy momente të gjendjes së pasurisë, referuar legjislacionit shqiptar.

– Sekuestrimi është gjendja ligjore, kur enti ligjor përkatës urdhëron bllokimin e një pasurie nga përdorimi i poseduesit të saj në momentin e sekuestrimit.
– Konfiskimi është gjendja ligjore, kur pasuria i merret poseduesit të saj dhe i kalohet në pronësi shtetit.
Qëllimi final i masës së sekuestrimit është konfiskimi i pasurisë në dobi të shtetit. Por, në mënyrë që poseduesi i pasurisë të mos ketë mundësi të gëzojë frytet, apo avantazhet e gëzimit të kësaj pasurie, shërben masa e sekuestrimit.

Gjithsesi, pasuria mbetet pezull ligjërisht, deri në masën e konfiskimit, apo të kthimit tek poseduesi i mëparshëm.

II.2. Institucionet që sekuestrojnë pasuri të paligjshme:
– Prokuroria e Shtetit
– Prokuroria Speciale
– Policia e shtetit
– Ministri i Financave
– Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
– Etj

Të gjitha këto sekuestrime ndodhin për:

– Pasuri, që janë objekt i hetimit pasuror në referencë të ligjit “antimafia”
– Pasuri, që janë objekt i ligjit të luftës kundër financimit të terrorizmit
– Pasuri, që janë objekt i hetimit penal për subjekte kriminale të caktuara
– Pasuri që janë subjekt i hetimit të shkeljeve të ndryshme ligjore dokumentare
– Pasuri, që janë objekt i evazionit fiskal dhe kontrabandës
– Etj

Pasuritë, që teorikisht kalojnë në administrim të AAPSK janë vetëm ato të dy pikave të para.

Listojmë, pra problematikën e parë, që lidhet me administrimin e pasurive të paligjshme:
1. Pasuritë, që sekuestrohen nga policia dhe prokuroria, që janë më të shumtat në numër, nuk kanë asnjë regjim administrimi.

Ndjekja e fatit të këtyre pasurive, deri në momentin e konfiskimit, apo kthimit tek pronari i parë është e parregulluar me asnjë ligj, apo procedurë të caktuar administrimi.

Dëmi në këtë rast është i dyfishtë,
§ Dëmtimi dhe humbja e vlerës së pasurive, deri në shkatërrim
§ Ekspozimi i strukturave të policisë së shtetit kah korrupsioni kryesisht si pasojë e mungesës së kapaciteteve menaxhuese dhe në mungesë të rregullave specifike të administrimit

Problematika e dytë, që mund të listohet në atë të administrimit të pasurive të sekuestruara, është ajo që lidhet me administrimin e pasurive të sekuestruara nga strukturat tatimore dhe ato doganore. Pra:

  1. Pasuritë, që sekuestrohen nga tatimorët dhe doganorët nuk kanë një regjim administrimi korrekt.

Këto pasuri, si rregull, qëndrojnë për një kohë të caktuar të bllokuara në kamionët, magazinat, apo ambientet e pronarëve të tyre, të cilët mund të dyshohen/akuzohen për evazion fiskal, apo kontrabandë.

Gjithashtu, mund të zhvendosen edhe në ambiente të agjencive përkatëse (të cilat janë inekzistente realisht). Për më tej, procedimi në momentin e konfiskimit me këto pasuri me anën e Drejtorisë së Rezervave të Shtetit është një praktikë e vjetër, që duhet të marrë fund sa më shpejt.

Risqet, me të cilat përballohet sistemi në këtë rast, janë të njëjta me të mëparshmet:
§ Dëmtimi dhe humbja e vlerës së pasurive, deri në shkatërrim
§ Ekspozimi i strukturave pwrkatëse kah korrupsioni, kryesisht si pasojë e mungesës së kapaciteteve menaxhuese dhe në mungesë të rregullave specifike të administrimit

Problematika e tretë është gjithashtu një gropë e zezë në administrimin e pasurive – produkt kriminal, apo të lidhur me të dhe që sekuestrohen nga gjykatat e rretheve gjyqësore të vendit. Pra, mund të listoj:

  1. Pasuritë, që sekuestrohen nga gjykatat e rretheve gjyqësore janë përgjithwsisht jashtë regjimit të administrimit.

Këto pasuri qëndrojnë për një kohë të gjatë në oborret e prokurorive të rretheve (makinat), apo në ato të rajoneve të policisë. Është zgjidhur pjesërisht vetëm çështja e administrimit të vlerave monetare, të cilat, si rregull depozitohen nga oficerët e policisë gjyqësore në një numër llogarie të veçantë në Thesarin e Ministrisë së Financave.

Megjithatë, asnjëherë nuk është bërë ndonjë raportim përmbledhës dhe shqyrtues për vlerat monetare të sekuestruara, të kthyera dhe të konfiskuara. Kjo, sepse thjesht nuk ka një autoritet shtetëror, që ta ketë për detyrë këtë gjë.

Në fakt, një VKM e AAPSK parashikon që kjo agjenci mund të administrojë edhe pasuri të sekuestruara nga gjykatat e rretheve, por nuk ka më së paku një memorandum për bashkëpunimin me gjykatën për këtë rast.

Risqet janë përgjithësisht po ato, që përmendëm, pra:

  • Dëmtimi dhe humbja e vlerës së pasurive, deri në shkatërrim
    § Ekspozimi i strukturave pwrkatëse kah korrupsioni
    § Gjithashtu, edhe humbja e vlerave monetare

Problematika e katërt janë statistikat. Pra:

  1. Si pasojë e mungesës së një regjimi unik administrimi, qeveria nuk prodhon dot një statistikë kombëtare për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara.

Institucione, si Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria për Krime të Rënda (ish), Drejtoria e Policisë së Shtetit, AAPSK, prej disa vitesh, në raportet e tyre vjetore prodhojnë shifra për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive (këtë të fundit vetëm AAPSK për pasuritë që ka në administrim).

Edhe sikur të supozohet, që secili raporton shifra krejt të sakta, gjë që është e pamundur, nuk ka sistem kompjuterik që mund t’i rakordojë këto shifra dhe të prodhojë një statistikë kombëtare për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara.

Si problematikë të pestë do të listoj Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

  1. AAPSK nuk është një Agjenci e specializuar dhe me kompetencat e duhura ligjore dhe rregullative për kontrollin e plotë dhe eficent të pasurive – produkt i krimit. Ajo është shndërruar në një magazinë-agjenci imobiliare dhe vegjeton në rrëzë të “ortekut” ligjor, duke shpresuar të mos kujtohet njeri për të.

Këtu nuk është fjala për stafin e kësaj agjencie, pasi nuk kam informacion e gjithsesi nuk është qëllimi në shqyrtimin e çështjes në fjalë.

Problemi me këtë agjenci është mungesa e kuadrit ligjor e rregullativ të funksionimit të punës.

AAPSK është ngritur nga ligji “antimafia” në 2004 dhe ka filluar të funksionojë, pra marrja e pasurive në administrim, prej vitit 2007. Prej kësaj kohe, përveç Lagunës së Karavastasë, që ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Mjedisit në 2010 dhe vlerave monetare të konfiskuara, nuk është arritur të tjetërsohet asnjë pasuri në dobi të shtetit (shitje, apo kalim në pronësi të shtetit). Vitet e fundit, gjithsesi ka një zhvillim të dhënies në përdorim të disa pasurive organizatave humanitare.

Prej vitit 2010 nuk bëhet më analiza e kostos së administrimit, kostoja totale dhe kostoja për njësi. Nuk dihet, pra, fizibiliteti i mbajtjes së saj.

Prej këtij viti, gjithashtu, nuk bëhet më administrimi protokollar i dosjeve të administrimit të secilës pasuri në kartelën përkatëse, pra këto kartela administrohen nga administratori i pasurisë dhe mungon kontrolli i dyfishtë.

Kjo hap probleme të mëdha, kryesisht atë të ekspozimit të administratorëve të pasurive kah korrupsioni e për pasojë rrezikon kthimin e zyrës së shtetit në një “celulë” të krimit të organizuar.

Dy kontrollet e fundit të ushtruara nga KLSH kanë lënë një listë të gjatë rekomandimesh, të cilat nuk janë marrë fare në konsideratë në punën e mëtejshme.

Duke mos listuar problematikën teknike të funksionimit të AAPSK, e cila është e madhe, do të theksoja, që si pasojë e kuadrit ligjor dhe rregullativ, kjo agjenci është jashtë funksionit të saj dhe është shndërruar në një magazinë-agjenci imobiliare. Pse? Kaq i ka lënë ligji hapësirë, kaq mundohet të bëjë.

III.

Propozim

Intesifikimi i luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit fiskal e bën të domosdoshme ndërmarrjen e një reforme institucionale në funksion të administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara për vetë pasojën e shtimit të këtyre pasurive në administrim.

Unifikimi i regjimit të administrimit të të gjitha pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, produkt i krimit, në vend, në mënyrë, që lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës, korrupsionit, evazionit fiskal, të shndërrohet në një punë eficente të shtetit.

Hartimi dhe miratimi i një ligji të veçantë për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të
konfiskuara.

Ky ligj të përcaktojë:

o Kalimin nën një agjenci të administrimit të të gjitha pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, produkt i krimit, apo të lidhur me të.

o Norma të qarta të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit institucional të institucioneve të zbatimit të ligjit.

o Rithemelimin e AAPSK me fokus ndërtimin e një agjencie të specializuar në konsultimin paraprak të agjencive bashkëpunuese, marrjen në dorzim, kontrollin e administrimit, vlerësimin e pasurive, përpunimin e statistikave dhe raportimet korrekte, etj.

AAPSK të mos kryejë administrim të drejtpërdrejtë të asnjë pasurie, të luajtshme a të paluajtshme, përveç vlerave monetare.

Këtë administrim, agjencia mund ta kontraktojë me të tretët. Format, që ky kontraktim mund të bëhet, janë të larmishme, por e rëndwsishme është që administrimi i drejtpërdrejtë i pasurive mund të bëhet shumë më me lehtësi, pasi operatorët privatë nuk janë para detyrimeve ligjore për të organizuar prokurime edhe për një bravë dere, që kushton 1 mijë lekë.

Një model i tillë mund të merret nga shërbimi Marshall në SHBA, psh.

Shitja e pasurive të konfiskuara të bëhet në ankande publike klasike (me çekan), në vlera fillestare më të vogla se vlera e tregut, por që siguron një transparence maksimale.

Të insistohet në kalimin e pasurive në dobi të institucioneve ligjzbatuese, si policia e shtetit, prokuroria, agjencitë e ndryshme dhe pushtetit lokal, jo thjesht në përdorim, por në pronësi.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet