Klubi i mendimit ekonomik

Rruga Tiranë-Durrës, koncensioni i rradhës që zhyt buxhetin

Opinion nga Zef  Preçi, ekspert për ekonominë

Pretendimet e qeverisë se “zgjerimi i rrugës Tiranë-Durrës do të kryhet falas nga firma private”, sqaroj sa vijon:

Ndërtimi i rrugës në fjalë është një ofertë e pakërkuar, do me thënë një firmë private me mbështetje të fortë politike dhe me burime financiare disponibel që minimalisht duhet të jenë disa qindra milionë Euro, i është ofruar qeverisë për të marrë kontraten në fjalë dhe ka siguruar mbështetjen e saj.

Sipas shtypit pranë qeverisë, bëhet fjalë për një kompani indiane (gjithmonë gjendet ndonjë emër i huaj, pak a shumë si në kohën e konkuistadorët Europianë që jepnin copa pasqyrash dhe merrnin në këmbim thesarët e Botës së Re”), e përfaqësuar në Shqipëri nga AlbStar dhe Trema Engeenering, të cilat propozojnë ta bëjnë me gjashtë korsi rrugën më të përdorshme në vend, kundrejt pagesës që do të ishte 2 euro për autoveturat dhe 5 euro për automjetet më të mëdha.

Më heret qeveria kishte shpallur një ftese zyrtare për firmat e huaja për rrugën në fjale, një investim i vleresuar nga qeveria me 120 milionë Euro.

Në vitin 2014, qeveria shqiptare pati vendosur që zgjerimi i rrugës Tiranë- Durrës të financohej me paratë e buxhetit të shtetit. Mbi bazën e këtij vendimi autoriteti rrugor shqiptar pajtoi një kompani italiane për të bërë studimin e fizibilitetit dhe projektin e rrugës.

 

Është folur për një projekt studim për zhvillimin e kësaj autostrade, ku të drejtën për të zhvilluar e ka pasë fituar kompania italiane “SPEA INGEGNERIA EUROPEA S.P.A”.

Prej asaj kohe nuk ka ndonjë lajm zyrtar se çfarë është bërë me paratë e shpenzuara për këtë studim dhe për fatin e tij. Ndërsa këto ditë bëhet me dije se Qeveria e ka listuar rrugën Tiranë- Durrës, ne listën e akseve që do të jepen me koncesion duke përcaktuar një tavan kostoje 49.1 miliardë lekë ose 20 miliardë lekë më shumë nga projekti i italianëve.

Në qendrimin zyrtar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, të z. Ahmetaj thekson se ky investim në formën e partneritetit publik -privat (PPP) nuk do të ketë garanci buxhetore, gjë që lidhet me rëndesinë strategjike të kësaj arterie të rëndësishme të vendit.

Do me thënë të ardhurat për operatorin privat janë të garantuara, duke i vjelë drejtpërdrejt nga mjetet motorrike që do të kalojnë në këtë rrugë.

Shtypi shkruan se nëse tarifa e kalimit do të vendoset dy euro ashtu si është propozuar në studimin e fizibilitetit, atëherë për 30 vjet koncesioni i Tiranë-Durrës mund të gjenerojë deri në 1 miliardë euro të ardhura.

Deri në ditën e sotme, si në shumicën e PPP-ve të tjera, nuk ka asnjë studim fizibiliteti të certifikuar përmes të cilit qytetarët, votuesit e taksapaguesit të mund të gjykonin në mënyrë krahasuese rreth dobisë së këtij investimi.

Rritja e borxhit publik edhe me rreth 2 milardë Euro të tjera për të shlyer klientët e qeverisë mendoj se po i përgatit një të ardhme të errët financave publike dhe veçanërisht mirëqënies së qytetarëve të Shqipërisë, ndërsa “fati” i Greqisë së 2008 rri si “shpata e Damokleut” mbi ekonominë e brishtë dhe ineficiente të vendit tonë.

Ky projekt sipas ministrit Ahmetaj, nuk do të paguhet nëpërmjet buxhetit. Ndërtimi i tij do të financohet fillimisht nëpërmjet investitorëve me anë të Partneritetit Publik -Privat dhe për kalimin e rrugës do t’i vendoset një tarifë.

Mendoj se nje trajtim i tille semplist dhe që konsideron buxhet vetëm fondet që xhirohen nga thesari i shtetit ka nevojë të korrigjohet.

E para, se nuk jemi ende në fushatë elektorale kur mund të broçkulliset gjithçka dhe “delet” vetëm dëgjojnë “të ardhmen e ndritur që ju ofrojnë prijësat e vetëzgjedhur”.

E dyta, qeveria dhe çdo antar i saj duhet të dinë se janë mandatuar për të rritur nivelin e mirëqenies së qytetarëve të vendit dhe jo për të bërë të kundërten duke i varfëruar ata.

Kështu edhe pse nevojat në infrastrukturë janë të mëdha, çfarëdo takse a tarife shtesë, edhe kur nuk del direkt nga thesari i shtetit, por del nga xhepat e varfër të qytetarëve shqiptare, duhet llogaritur me kujdes.

Është përgjegjësi elementare e qeverisë që të mbrojë interesat publike duke frenuar oreksin e shfrenuar të cilitdo klient oligark të saj, përndryshe zbehen dhe shkojnë drejt këputjes ato fije të padukshme që mbajnë të lidhur njerëzit me këtë vend.

E sotmja tregon se kështu qeveria po qeveris një vend që po braktiset dite mbas dite nga qytetarët e tij qysh prej një dekade.

Duhet theksuar se nuk është e nevojshme të kesh shumë dijeni teknike e kulture të gjerë profesionale për të kuptuar se qytetarët shqiptarë paguajnë mirëmbajtjen e ndërtimin e rrugëve, janë të vetmit në Europë me naftën më të keqe dhe me çmimin më të lartë, por edhe me rrogat më të ulta.

Prandaj kjo përmbushje e ofertës së pakërkuar të oligarkut të radhes, qoftë edhe me frazën tragji-komike “Zero lekë nga buxheti i shtetit!” nuk duhet të gëzojë njeri në këtë vend, të paktën ata që ende besojnë se ky vend do të bëhet apo edhe ata që nuk kanë se ku të shkojnë.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet