Klubi i mendimit ekonomik

3 vjet pas Reformës Territoriale. Studimi: Bashkitë të varura nga qeveria, nuk mbledhin dot taksat

Material i përgatitur nga Dr. Sorina Koti

 

Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor e cila aspiron anëtarësimin në BE. Gjatë këtyre 27 viteve tranzicion, Shqipëria ka hartuar dhe zbatuar vazhdimisht reforma në kuadër të përafrimit të legjislacionit të saj me BE-në. Ajo që është bërë deri tani ka pasur në fokus politikatdhe mirëqeverisjen e pushtetit qëndror, por paralelisht me të edhe perpjekjet solide për decentralizimin dhe mirëfunksionimin e pushtetit lokal, si pjesë e paketës integruese të vendit tonë në BE.

Hartimi i Reformës Territoriale-Administrative ka pasur në fokus përmirësimin e qeverisjes vendore. Sot, pas 2 vitesh nga zbatimi i saj, jemi në gjendje të analizojmë dhe të shohim efektet e para. Gjatë kësaj periudhe kohore mund të përmendim si arritje legjislative miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2015-2020, dokument pasuar me: (i) zbatimin e Reformës Administrative dhe Territoriale, (ii) miratimin e Ligjit Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”; (iii) miratimin e Ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.

Studimi ka marrë në analizë performancën financiare të të gjitha njësive vendore dhe është fokusuar tek bashkitë e Qarkut Korçë, si një nga qarqet më të mëdha në Shqipëri. Të dhënat janë progresive dhe i përkasin periudhave Janar-Shtator të viteve 2015, 2016 dhe 2017.

 

  1. Performanca financiare e bashkive në vend

Studimi ka për qëllim të analizojë performancën financiare të vitit 2017 duke e krahasuar me dy vitet e kaluara. Viti 2015 është viti i fillimit të zbatimit të RAT, kështu që, kjo analizë do të na ndihmojë të shohim se ku janë përfitimet,  problematikat dhe pritshmëritë e saj. Më poshtë janë dhënë të ardhurat nga taksat dhe tarifat të të gjitha njësive vendore dhe bashkive të Qarkut Korcë, ku sipas të dhënave të marra nga databaza e të dhënave na rezulton që këto të ardhura zenë rreth 90% të të ardhurave vendore të bashkive.

 

Njësitë vendore Të Ardhurat nga Taksat dhe Tarifat
  2015 2016 2017
Të gjitha bashkitë në vend 10,324,217,900 12,875,218,680 16,644,535,260
Bashkia Korçë 332,277,550 428,809,480 428,948,445
Bashkia Devoll 36,543,120 47,385,790 46,536,350
Bashkia Pogradec 124,536,570 146,832,290 157,566,711
Bashkia Kolonjë 25,224,790 21,992,970 33,416,356
Bashkia Maliq 41,484,480 52,664,280 63,235,504
Bashkia Pustec 2,281,460 3,288,340 3,375,495

(Burimi: financatvendore.al)

Nga tabela më lart shohim se të ardhurat vendore nga taksat dhe tarifat janë rritur nga viti ne vit. Zbatimi i Reformës kërkon që, Bashkitë e reja të mbledhin të gjitha të ardhurat e njësive administrative dhe të raportojnë situatën financiare të tyre. Kjo rritje e të ardhurave, në pjesën më të madhe të bashkive, vjen kryesisht si rezultat i rritjes se taksave dhe tarifave vendore, pasi në shumë bashki, është vendosur niveli më i lartë i përcaktuar në Ligjin për Financat Vendore (Vendimet e Keshillave Bashkiake në databazën e financatvendore.al).

Kjo rritje ndikohet edhe nga përpjekjet për administrimin më të mirë të të ardhurave, si dhe zbatimi i reformës për formalizimin e biznesit të vogël. Edhe pse rritja e taksave dhe tarifave pritet të sjellë më shumë të ardhura në buxhetet e Bashkive, faktikisht ato mblidhen në masën 10-30% të totalit të tyre. Është e qartë se kapacitetet për mobilizim fiskal nga ana e bashkive janë të  kufizuar dhe jo rrallë ndikohen edhe nga mungesa e legjislacionit sekondar.

 

 

 

 

 

 

Transferta e pakushtëzuar, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel qarku është rritur për të gjitha bashkitë, përvec Bashkisë Kolonjë dhe Pustec (për shkak të formulës së shpërndarjes, bazuar në Ligjin e Buxhetit). Gjithsesi, duke parë grafikun e mëposhtëm konstatohet se, raporti që zë transferta e pakushtëzuar në totalin e të ardhurave ka pësuar rënie duke filluar nga viti 2016 dhe në vazhdim me vitin 2017 (përvec Bashkisë Pogradec).

 

Një nga argumentat pro RAT ishte reduktimi i shpenzimeve administrative dhe rritja e fondit të transfertës së pakushtëzuar, gjë që nuk ka ndodhur në realitet. Në buxhetet e bashkive janë alokuar më shumë fonde, por në raport me totalin e të ardhurave pritej që bashkitë të merrnin më shumë për shkak të rritjes së shpenzimeve korrente. Kjo rritje e shpenzimeve tregohet më poshtë nga tabela, e cila reflekton edhe ngarkesën për të administruar territoret më të mëdha të bashkive të reja.

 

Njësitë vendore Shpenzimet Korrente totale
  2015 2016 2017
Të gjitha bashkitë në vend 30,020,385,850 33,490,468,620 38,694,628,042
Bashkia Korcë 958,879,690 1,111,312,950 1,245,841,403
Bashkia Devoll 203,416,830 230,093,360 316,973,728
Bashkia Pogradec 749,684,070 828,339,230 916,025,953
Bashkia Kolonjë 163,761,310 196,066,870 237,963,059
Bashkia Maliq 354,418,190 403,553,370 493,480,746
Bashkia Pustec 24,115,150 29,825,630 35,961,252

(Burimi: financatvendore.al)

RAT kishte synim zvogëlimin e shpenzimeve korrente dhe administrative, por gjatë tre viteve të para të zbatimit shohim se shpenzimet nuk janë zvogëluar. Të dhënat nga statistikat tregojnë se shpenzimet për personel janë rritur ndjeshëm, kjo për shkak të zgjerimit të territorit dhe nevojës së bashkive për personel shtesë.

Njësitë vendore Shpenzimet per pagat e personelit
  2015 2016 2017
Të gjitha bashkitë në vend 8,311,787,450 11,813,499,970 14,697,496,672
Bashkia Korcë 228,790,390 387,756,020 448,579,026
Bashkia Devoll 61,813,110 91,988,000 115,155,374
Bashkia Pogradec 173,115,350 237,505,450 261,602,639
Bashkia Kolonjë 57,639,010 89,879,020 121,865,287
Bashkia Maliq 89,770,600 140,350,650 211,373,924
Bashkia Pustec 11,784,170 18,533,220 21,625,226

(Burimi: financatvendore.al)

 

Grafikët më poshtë tregojnë se dy vitet e fundit në krahasim më 2015, vitin ku nisi zbatimi i reformës, shpenzimet për paga janë rritur në raport me shpenzimet korrente. Gjithashtu, këto shpenzime për paga nuk mbulohen dot me të ardhurat nga taksat dhe tarifat. Të gjitha bashkitë e Qarkut Korcë janë mbi nivelin e shpenzimeve nëse i krahasojmë me totalin e bashkive.

 Në secilën nga bashkitë e Qarkut Korçë niveli i shpenzimeve për personel zë një përqindje të konsiderueshme, përvec Bashkisë Korcë, ku ky raport është më i ulët dhe i afërt me mesataren e totalit të bashkive. Kjo mund të argumentohet edhe me numrin e personelit të disponueshëm, që ka pasur kjo bashki për disa vite dhe nevoja për staf të ri ka qenë më e reduktuar. Raportet na treguan se të ardhurat nga  taksapaguesit shkojnë për të mbuluar shpenzimet administrative dhe jo për investime.

 Tabela 5. Shpenzimet kapitale

Njësitë vendore Shpenzimet Kapitale
  2015 2016 2017
Të gjitha bashkitë në vend 10,267,542,190 8,640,807,360 20,426,987,600
Bashkia Korcë 547,278,460 312,987,580 907,899,990
Bashkia Devoll 34,629,380 29,094,620 117,710,210
Bashkia Pogradec 94,587,280 30,919,440 159,380,152
Bashkia Kolonjë 39,613,480 56,382,340 165,819,157
Bashkia Maliq 52,504,160 79,898,490 397,890,859
Bashkia Pustec 11,726,700 4,952,260 21,139,760

(Burimi: financatvendore.al)

 

Në kushtet kur pjesa më e madhe e të ardhurave bashkiake shkojnë për shpenzime korrente dhe kryesisht paga, atëherë si do të jetë raporti për investimet publike?

Një rol të rëndësishëm në kuadër të investimeve dhe bashkëpunimit me bashkitë ka patur edhe Fondi i Zhvillimi të Rajoneve. Problemi me miratimin e projekteve për financim nga FZHR qëndron tek mungesa e transparencës për kriteret, që duhet të plotësojë projekti për të qenë fitues si dhe me mos-shpërndarjen e barabartë tek të gjitha njësitë vendore (duke marrë parasysh madhesinë e NJV, numrin e banorëve residente dhe projektet aplikuese).

Në kushtet kur të ardhurat vendore nuk janë të mjaftueshme për të kryer investime kapitale, atëherë nga të dhënat statistikore shohim se investimet janë kryer kryesish nga fondi i transfertës së pakushtëzuar dhe FZHR. Shpenzimet kapitale të të gjitha bashkive për vitin 2017 kanë pësuar rritje të ndjeshme. Kjo përkon edhe më nismat e reja të bashkive për të rritur investimet në njësitë administrative si mënyrë për të rritur investimet publike dhe praninë e qeverisjes në zonat rurale.

Në përfundim të studimit, mund të konkludojmë se është ende herët për të gjykuar plotësisht efektet e RAT. Viti i ardhshëm do të jetë një tregues më i fortë i efekteve. Gjithsesi, në kushtet e analizës për tre vitet e para të zbatimit të RAT, statistikat tregojnë se bashkive u duhen më shumë burime njerëzore dhe mbështetje nga pushteti qëndror për të realizuar detyrimet dhe objektivat për të cilat janë krijuar. Bashkitë janë ende të varura nga transferta e pakushtëzuar dhe e kushtëzuar e qeverisë dhe mungesa e të ardhurave vendore eshte prezente. Konstatohet mosrealizim të planeve mbi arketimet e të ardhurat vendore si dhe një pamundësi për të mbledhur gjithë detyrimet fiskale. Zmadhimi i territorit dhe problematikat e trashëguara ende mbeten pa zgjidhje edhe për shkak të mungesës së akteve nënligjore, që do rregullonin funksionimin e plotë të bashkive të reja.

 

  1. Perfundime dhe rekomandime

Pasi analizuam performancën financiare të NJV në nivel kombëtar dhe studiuam rastin e bashkive të qarkut Korçë, na rezulton se qeverisja në nivelin e pushteti vendor le shumë për të dëshiruar përkundër objektivave të synuara nga Reforma Administrative Territoriale. Reforma premtonte pavarësi më të madhe financiare dhe operative nga pushteti qëndror, pra një zgjerim të decentralizmit, një menaxhim më efiçent të financave publike si nga ana e të ardhurave ashtu dhe e shpenzimeve, por edhe shërbime vendore më cilësore. Kjo do të kërkonte, që përveç politikave të mëdha kombëtare dhe europiane, të kemi edhe politika lokale të vetëdisiplinimit të menaxhimit financiar, duke u fokusuar si prioritet tek rritja e efiçencës dhe në përmirësimin e parametrave financiare dhe ekonomike. Në çdo rast, përmirësimi i NJV mund të kontribuonte në zhvillimin e përgjithshëm makro-ekonomik. E ardhmja e Shqipërisë mund të shikohet edhe si një detyrë e bashkive. Gjithashtu, bashkitë mund të jenë pjesëmarrëse në reformat e ndërrmara për përmirësimin e kontekstit të përgjithshëm dhe veçanërisht në pasurimin me ide për rishikim dhe përmirësim të Ligjit për Prokurimet Publike, ndihmën sociale, financimin ose bashkëfinancimin e shërbimeve etj.

Studimi kërkon dhe sugjeron që:

1) Pushteti qëndror të delegojë për zbatim në NJV Strategjitë e Zhvillimit Kombëtar dhe kriteret

e kërkuara nga Bashkimi Europian. Le të fillojë proçesi nga NJV drejt qendrës.

2) Sfidat e sigurisë, emigracionit, ndryshimit të klimës, energjisë, tregtisë, politikat ekonomike dhe fiskale mund të adresohen më mirë nga pushteti vendor.

3) Decentralizimi dhe zhvillimi i pushtetit vendor.

4) Pushteti qëndror duhet të delegojë më shumë pushtet dhe vendimmarrje drejt pushtetit lokal.

 

 

 

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet