Klubi i mendimit ekonomik

Mbledhja e FMN dhe BB, Guvernatori Sejko flet për kreditë me probleme

Ulja e nivelit të kredive me probleme mbetet një sfidë për sistemin bankar shqiptar. Në këtë çështje është fokusuar edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në Mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend dhe politikën monetare. Duke u ndalur në sektorin bankar, kreu i Bankës Qendrore theksoi se ai karakterizohet nga nivele të mira likuiditeti, kapitali dhe përfitueshmërie.

Plani ndërinstitucional i veprimit për reduktimin e kredive me probleme, i ndjekur nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera, ka dhënë efektet e tij pozitive dhe të dhënat më të fundit tregojnë se niveli i kredive me probleme, deri në fund të vitit 2018, zbriti në 11.1%.

Guvernatori Sejko paraqiti pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit. Në këtë kuadër, ai theksoi se Banka e Shqipërisë mirëpret rishikimet periodike të shpërndarjes së kuotave dhe rritjen e kapitalit, të cilat synojnë përmbushjen e objektivave institucionale të Fondit.

Guvernatori u ndal dhe në prioritetet e FMN-së dhe BB-së, si dhe në rolin e rëndësishëm të dy institucioneve në promovimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë të vendeve në zhvillim. Gjithashtu, Guvernatori Sejko u shpreh se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Bankës Botërore po ndiqet me mjaft interes nga institucionet shqiptare.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet